Në Zemër të Makinerisë së Dezinformimit
Nga Krimi te Operacionet Sekrete: Si Halit Sahitaj dhe Milaim Zeka synojnë Tribunalin e Kosovës në një luftë të rrezikshme dezinformimi. Kush janë në të vërtetë këta?
Një mesazh i papritur në Facebook1 nga një llogari e quajtur "Laky Laky" nxiti hulumtimin që zbuloi një rrjet të ndërlikuar të dezinformimit që synonte të pengonte tribunalin e krimeve të luftës së Kosovës. Kjo nuk ishte një përpjekje e rastësishme. Dërguesi, i identifikuar më vonë si Halit Sahitaj, kishte një histori të gjatë dhe të trazuar me zyrtarët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit, agjencitë e inteligjencës dhe krimin e organizuar. Regjistrat zyrtarë të parë nga ekipi ynë zbulojnë përfshirjen e tij në zhvatje, mashtrim dhe manipulim, nga Spanja në Monako, Kosovë, Gjermani, Zvicërr dhe Rusi. Por përtej historisë së tij kriminale, ndërveprimet dhe marrëdhëniet financiare të Sahitajt tregojnë për një lojë më të thellë në të cilën duket se ai e ka ngatërruar vetën. Gjetjet tona tregojnë se Sahitaj është i përfshirë në një fushatë të orkestruar që ka vënë në nishan të manipulojë procedurat gjyqësore në tribunalin kosovar të Hagës për të favorizuar interesa të caktuara politike dhe gjeopolitike.
Ky artikull hulumton dhe zbulon një rrjet të gjerë kriminal i cili orkestron dezinformimin, shfrytëzon stimujt financiarë dhe kombinon përdorimin e taktikave për krijimin e situatave komprometuese. Më tej, përmes presionit të shantazhit dhe përdorimit të kompromateve të krijuara, synon të cënojë drejtësinë dhe të manipulojë të vërtetën për të penguar zbatimin e saj.
Bazuar në biseda të regjistruara, dokumente të rrjedhura dhe raporte konfidenciale ndërkombëtare, hulumtimi ynë ka dokumentuar një përpjekje të përbashkët për të komprometuar integritetin gjyqësor të Kosovës dhe për të riformuar tregimet historike për përfitime të dukshme gjeopolitike. Qendrore në këtë operacion janë Halit Sahitaj dhe Milaim Zeka, ky i fundit merr identitete të ndryshme profesionale sipas nevojës. Pavarësisht mohimeve të tyre, dëshmitë e gjetjeve tona të hollësishme sugjerojnë një partneritet të Zekës dhe Sahitajt që shkon përtej lidhjeve profesionale.
Hulumtimi ynë, i cili përfshiu vëzhgimin e aktiviteteve në rrjetet sociale të Zekës dhe pyetjet direkte drejtuar Sahitajt dhe Zekës, tregon se strategjitë e Sahitajt mund të përfshijnë fabrikimin e provave, një taktikë që duket se është përsosur nga Zeka. Duket se qëllimi i tyre është të minojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë duke ngritur akuza të pabaza kundër prokurorit të tyre, Jack Smith, dhe duke përdhosur një figurë që ata e quajnë Faik Imeri, ekzistenca e të cilit mbetet e paverifikuar deri tani nga redaksia jonë.
Dokumentit që Milaim Zeka i referohet si gazetaria e tij investigative nuk është një raport investigativ, por është një ankesë nga një denoncues e hartuar nga John F. Moynihan2. Dokumenti është një ankesë formale e destinuar për rishikim nga organet hetimore dhe mbikëqyrëse drejtuar Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së. Përfaqësimi i gabuar i Zekës duket të jetë i dizajnuar për të shfrytëzuar faktin që shumica e publikut në Kosovë mund të mos kontrollojë detajet e raporteve të tilla, duke shpresuar ndoshta që natyra komplekse dhe zyrtare e dokumentit do të pengonte verifikimin e tij nga ana e publikut. Ky përfaqësim i gabuar nga Zeka duket të jetë një përpjekje e llogaritur për t'i dhënë kredibilitet të padrejtë karakterit të tij personal ose profesional duke u lidhur me një dokument serioz ligjor pa kryer një hetim gazetaresk të vërtetë.
Kjo ankesë në fakt trajton pretendimet e Milaim Zekës dhe grupit të tij (Halit Sahitaj, Darko Perovic dhe gruas së tij Edlira Qefalija) për korrupsion dhe sjellje të papërshtatshme brenda ekipit ndërkombëtar në Tribunalin Kosovar të Hagës. Moynihan, ish-punonjës i DEA-s (Drug Enforcement Authority) të SHBA-së dhe ekspert i njohur në hetimet financiare, ka përpiluar këtë dokument në formë ankese për të raportuar dyshimet dhe pretendimet e Milaim Zekës & Co — të cilat përfshijnë shantazhin dhe manipulimin nga zyrtarë të lartë brenda Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe entiteteve të tjera, pretendime këto që në përpjekjen tonë për t’i verifikuar ne e kemi gjetur se janë të falsifikuara.
Të dy të identifikuarve të përfshirë në këtë projekt, Halit Sahitaj dhe Milaim Zeka, u janë ofruar mundësitë nga ekipi ynë hulumtues që të jepnin verzionin e tyre dhe të provonin pretendimet e tyre të deklaruara në raportin e Moynihan dhe në media, por asnjëri prej tyre nuk arriti ndonjëherë të provojë asgjë. Ajo që është edhe më interesante është se vetë Moynihan në faqet 11/123 specifikon se ai në fakt nuk beson në pretendimet që i janë ofruar. Duke komunikuar me ekspertë të tjerë, duke gjykuar nga gjetjet faktike të cilat zbërthejnë karakteret dhe veprimtaritë e Zekës dhe të Sahitajt dhe fakti që ata janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin në lidhje personale, si dhe lidhjet e afërta të Zekës edhe me Perovic dhe znj Qefalija, analiza jonë rezulton se është shumë e mundshme që këto pretendime janë fabrikime të Milaim Zekës dhe Halit Sahitajt, duke marrë parasysh gjithashtu se të dy kanë një histori të përfshirjes në fabrikimin e shumë pretendimeve të tjera.
Duket se Zeka, i mbështetur nga një rrjet i dukshëm dezinformimi që përfshin gruan e tij dhe disa media, përfshirë Top Channel4 dhe KLAN Kosova5, është vazhdimisht duke përhapur pretendime të rreme, përfshirë deklaratën e pabazuar se ZPS është themeluar nga Serbia. Kjo është veçanërisht ironike duke marrë parasysh se njeriun që Zeka po përpiqet ta shpetoj, tani jo që është i ulur në bankën e të akuzuarve në Tribunalin e Kosovës në Hagë, por edhe e ka mbështetur themelimin e saj në vitin 2015, madje edhe duke ushtruar presion mbi deputetët që fillimisht ishin hezitues për ta mbështetur themelimin e këtij tribunali.
I dashur lexues, ky tregim hulumtues është pjesë e një hetimi më të gjerë mbi manipulimin e proceseve gjyqësore të Kosovës dhe ndikimin e aktorëve të jashtëm në peizazhin politik të saj.

Fytyrat e shumëfishta të Halit Sahitajt: Një Kriminel, Një Ndërmjetësues dhe Një Manipulator i Narrativave Politike
Gjetjet e redaksisë sonë e vendosin Halit Sahitajn në qendër të një rrjeti të sofistikuar financiar dhe politik që shtrihet nëpër disa juridiksione. Ai u arrestua për herë të parë në Spanjë më 20 Dhjetor 2020, pas një bastisjeje të urdhëruar nga gjykata në pronat e lidhura me të ku shtrihej një rrjet i dyshuar i krimit të organizuar dhe shantazhit6. Aktivitetet e tij tërhoqën vëmendjen e autoriteteve edhe në Monako, ku policia e thirri atë për marrje në pyetje më 12 Janar 2020, për akuza të shantazhit, ngacmimit dhe shpifjes7. Edhe pse u lirua nga paraburgimi në Prill 2021, ai mbeti nën vëzhgim ligjor dhe u vendos në arrest shtëpiak. Megjithatë, ai vazhdoi të operonte në fshehtësi, duke përdorur komunikime të koduara dhe pseudonime. Raportet e inteligjencës gjithashtu e lidhin atë me Igor Vladislavovich, një operativ rus i lidhur me GRU-në, duke forcuar dyshimet për një përpjekje më të gjerë strategjike për të trazuar përgjegjësinë gjyqësore në Kosovë.
Gjetjet tona konfirmojnë se në fund të vitit 2020, Sahitaj u pa në Cyrih, Zvicër, në takim me Igor Vladislavovich, një operativ i lidhur me GRU-në ruse. Ky takim ndodhi vetëm pak javë para arrestimit të Sahitajt në Spanjë më 20 Dhjetor 2020, pas një hetimi ndaj veprimtarisë së tij me rrjetet ndërkombëtare të shantazhit dhe pastrimit të parave. Raportet e vëzhgimeve të shërbimeve evropiane sugjerojnë se takimi i Sahitajt në Cyrih nuk ishte një incident i izoluar, por pjesë e një operacioni më të gjerë për të koordinuar aktivitetet financiare dhe të inteligjencës nëpër Europë. Arrestimi i tij mund të ketë qenë një veprim parandalues nga autoritetet spanjolle të rendit në një përpjekje për të ndërprerë një operacion të vazhdueshëm të shërbimit të fshehtë të lidhur me ndikimin rus në Ballkan.



Një dosje e rrjedhur nga hetuesit spanjollë përmban detaje mbi identitete të shumta të përdorura nga Halit Sahitaj, të dhëna për të kaluarën e tij kriminale dhe parregullsi financiare që tregojnë për korrupsion në nivele të larta dhe bashkëpunim me struktura të shërbimeve të fshehta.
Shfaqja e papritur e Halit Sahitaj në kutinë time postare elektronike në facebook, kërkesa e pashkruar për kontakt, prezantimet e tija që dukeshin të menduara me kujdes, nuk ishin të rastësishme. Në botën e gazetarisë hulumtuese, kontaktet e tilla ngrenë shumë pyetje përpara se të ofrojnë përgjigje.
Llogaria e tij në Facebook, një profil thuajse bosh pa postime personale, nuk ofronte shumë për të kuptuar kush ishte realisht ai që po kërkonte një kontakt të afërt me mua. Lista e miqve, ndonëse e dukshme, nuk kishte ndonjë domethënie të menjëhershme. Ajo që kishte rëndësi ishte kontakti i parë direkt me mua. Më 21 janar 2025, Halit Sahitaj u lidh për herë të parë me mua: një mesazh i thjeshtë në Facebook, i pasuar nga një telefonatë në rrjetin e komunikimeve Signal, një bisedë shtatë minutëshe, e regjistruar nga ana ime, pa dijeninë e tij, Sahitaj dukej që po shpresonte se unë isha tanimë në kafazin e planin të tij, por ajo që në fakt ishte duke ndodhur, ai ishte futur në korridorin e dhomave të mia, Sahitaj, gabimisht e ishte paraqitur në dritën e kuriozitetit tim.
“O Vedaaaat. …. Ti ma i forti je, unë jom Halit Sahitaj. … veq dashta me t’jap do komplimente se ti ja qillon si mu kan Hoxhë. ….” Halit Sahitaj, 21 Janar, 2025.
Mirësjelljet nuk zgjatën. Biseda shpejt kaloi në çështje më të rëndësishme. Sahitaj përveq se pretendonte se ishte dëshmitar i Presidentit Trump në një rast ku ai pretendonte se e kishte shpëtuar atë, ai gjitashtu fliste me një siguri që linte të kuptohej se kishte njohuri të brendshme për manovrat politike në nivelet më të larta globale. Ai përmendi emra konkretë nga elita politike e Kosovës, diplomatë amerikanë, deri te figura të lidhura me komunitetin e spiunazhit. Në qendër të rrëfimit të tij ishte Richard Grenell8, ish-ambasador i SHBA-së, ish-ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe besnik i Donald Trump.
Por, kush ishte Halit Sahitaj?
Ai e paraqiste veten si një njeri me qasje, një ndërmjetës, një shpërndarës informacioni të ndjeshëm. Në një moment, e përshkroi veten si “spiun për Hagën,” një informator me njohuri që shtriheshin nga Uashingtoni deri në Prishtinë. Pretendonte se kishte në dorë dokumente kyçe që implikonin Richard Grenell në marrëveshje ‘sekrete’ siç thoshte ai, me oligarkë rusë, agjenci inteligjence dhe kriminelë lufte.
Telefonatat vazhduan. Më 22 janar, foli për tetëmbëdhjetë minuta, duke këmbëngulur mbi një dokument që, sipas tij, i ishte dhënë nga burime brenda shërbimeve sekrete ukrainase. “Një milion përqind, ky është dokument i vërtetë,” tha me bindje Sahitaj. Pretendimi ishte i guximshëm. Shumë i guximshëm. Dhe, siç e di çdo gazetar, sa më i sigurt të paraqitet informacioni, aq më e madhe është nevoja për ta verifikuar atë.
Sahitaj fliste në fragmente të zhargonit të inteligjencës, më shumë për të impresionuar sesa për të informuar. Kjo taktikë e tij, kishte për qëllim që të linte të kuptohej se ai ishte njeri me fuqi, me lidhje direkte me para, ndikim dhe njerëz që veprojnë nga prapaskenat. Kur e pyeta për këto lidhje, fjalët e tij luhateshin midis mohimeve dhe pranimëve të pjesëshme. “Kam kontakt me të gjithë,” tha në një moment. “Nuk e njoh personalisht Patrick Byrne,” deklaroi më vonë, vetëm për të pranuar pastaj se kishte parë dokumente që e lidhnin Byrne me operativë politikë në Europën Lindore.
Tregimet dhe pretendimet e tij ishin shumë-shtresore, të ngatërruara në një rrjet intrige politike, korrupsioni financiar dhe lojërash për pushtet.
Deri më 29 janar, qëndrimi i tij ndryshoi. Filloi të fliste për mbështetje financiare, “Dikush ti jep 5k” shkroi ai në një mesazh, të shkruar nëpërmjet signal. 5 minuta më vonë, ai më mori në telefon dhe e ngriti çmimin “…. nashta 15k” tha ai. E ndërpreva telefonatën dhe i shkrova një përgjigje të kjartë rreth ofertave të tij.
Ishte një “gjest,” tha ai, për të vlerësuar profesionalizmin tim dhe për të “ndihmuar” publikimin tim. “Nuk kishte asgjë me qëllim të keq,” më siguroi. Por paratë nga një burim i panjohur nuk janë kurrë neutrale.


Telefonata e fundit e Halit Sahitajt, më 12 shkurt, zbuloi shumëçka. Ai dukej se e kuptoi se tanimë ishte i dyshuar dhe se po hetohej dhe analizoheshin deklaratat dhe veprimet e tij nga ana jonë, duke e ndryshuar kështu një çasje nga një përpjekje komprometuese në një rrjedhje informacioni që shpesh tingëllonin sikur përpjekje për t’u rrëfyer, veprime këto që mund të ndryshonin ekuilibrat e pushtetit në Kosovë dhe përtej saj. Por, kur u ballafaqua me pyetje, shmangu përgjigjet, devijoi bisedën.
“Unë jam thjesht një dëshmitar,” tha ai.
Deri në janar 2025, modeli ishte i qartë: Halit Sahitaj nuk ishte thjesht një informator, por një operator strategjik që lëvizte në një peizazh i një korridori të errët ku manipuloheshin informacionet, në një hapësirë të dendur të korrupsionit politik dhe fuqisë financiare. Arrestimet e mëparshme, ndalimi i tij në shtëpi dhe lidhjet e konfirmuara me operativë rusë tregonin se ai ishte thellësisht i përfshirë në një sistem shumë më kompleks se sa kriminaliteti i zakonshëm. Qoftë si pjesë e një axhende gjeopolitike, apo si lojtar i pavarur, një gjë mbetet e sigurt: përpjekja e tij për t’u afruar me mua nuk ishte e rastësishme. Dhe kur dikush si ai troket në derë, kurrë nuk e bën pa një qëllim.
Një jetë e ndërtuar mbi sekrete, pushtet dhe mashtrim
Sa më thellë hynim në jetën e Halit Sahitajt nëpërmjet burimeve tona të mirëinformuara, aq më shumë dheu zhdukej nën këmbët e tij. Emri i tij, që tashmë i ngjante më shumë një kameleoni të zhytur në labirintet e intrigave politike, shpalosej si diçka më e ndërlikuar, një njeri me shumë fytyra, shumë jetë, shumë gënjeshtra dhe të fshehta të çuditshme.
Sipas autoriteteve spanjolle, Sahitaj nuk ishte thjesht një ndërmjetës në marrëveshje të fshehta politike; ai ishte një njeri me identitete të shumëfishta, ekzistenca e të cilit ishte e fragmentuar në dokumente zyrtare. Shtatë emra të ndryshëm, pesë arrestime të veçanta dhe një histori burgimi që shtrihej për dekada. Në një rast, ai paraqitej si Halit Maasen, i ndaluar me urdhër të Gjykatës Kombëtare në vitin 1996. Në një tjetër, si i burgosur në burgun Soto del Real të Madridit në vitet 2006 dhe 2007. Një figurë që ndryshonte formë dhe dinte të shpëtonte nga ndjekjet ligjore.
Lëvizjet e tij tregonin më shumë sesa thjesht emra të rremë, ato sugjeronin një operacion të mirëorkestruar. Komunikimi i tij kryesor bëhej përmes platformave të kriptuara, me një gjurmë digjitale të pastruar me kujdes nga çdo element personal apo komprometues. “Bisedat e tij nuk ishin thjesht private” thanë burimet tona në Madrid; ishin të dizajnuara për të qenë të padepërtueshme.
Ai nuk vepronte vetëm. Një emër që përmendej vazhdimisht në dosjen e inteligjencës spanjolle ishte Toomas Mandmets, i përshkruar si zbatuesi kryesor i operacioneve të Sahitajt. Komunikimet e tyre të shpeshta dhe të sinkronizuara tregonin për një strukturë të ndërtuar mbi sekretin dhe mashtrimin. Një raport forenzik përmend një komunikim të përgjuar, ku Mandmets koordinonte shantazhin ndaj një individi në Monako, duke ndjekur, mbledhur informacione dhe përgatitur fazën tjetër të presionit.
Taktikat e Sahitajt nuk përfshinin vetëm fshehtësi dhe krijim i rrethanave komprometuese, por edhe kërcënime të drejtpërdrejta, shantazh dhe trysni.
Raportet policore spanjolle e përshkruajnë si të përfshirë në falsifikime dokumentesh zyrtare, përgatitje të raporteve të rreme mjekësore, ryshfete për të krijuar të dhëna që nuk ekzistonin, e madje edhe manipulim të rezultateve të testeve PCR për të udhëtuar pa u zbuluar gjatë kohës së pandemisë Kovid19. Këto nuk janë veprime të një oportunisti të rastësishëm, por të një njeriu që kishte ndërtuar një karrierë mbi përkuljen e realitetit sipas interesit të tij dhe grupit prej të cilëve ai ishte i drejtuar.
Shantazhi ishte monedha e tij kryesore. Një viktimë nga Monako i ishte drejtuar autoriteteve spanjolle, duke e akuzuar Sahitajn për presion të drejtpërdrejtë dhe kërkesë për para. Detajet përputheshin me dëshmi të tjera nga viktima që kishin frikë nga hakmarrja që vinte pas përplasjes me dikë si ai. Gjetjet tona nga burimet në Madrid, përveç atyre në Monako, Zvicër dhe Gjermani, ndërtuan portretin e një figure të zhytur thellë në një rrjet që operonte përmes frikësimit dhe presionit sistematik.
Por kishte më shumë. Autoritetet spanjolle e kishin nën vëzhgim prej vitesh. Në një nga operacionet e shumta të autoriteteve spanjolle, më 2 qershor, Sahitaj ishte regjistruar duke përdorur “manovra shmangëse”.
Ai u pa duke u afruar drejt një takimi me Mandmets, por lëvizjet e tij ishin të çuditshme. Kthente rrugë, vëzhgonte zonën, ndryshonte itinerar. Nuk ishte thjesht i kujdesshëm. Ai sillej si dikush që e dinte se po vëzhgohej.
Në këtë fazë të hulumtimit tonë, ne e kuptuam se bota e Halit Sahitajt nuk kufizohej vetëm në marrëveshje politike, ajo zgjerohej në krim të organizuar dhe korrupsion në nivele të larta ndërkombëtare.
Raporti i autoriteteve spanjolle theksonte se Sahitaj nuk kishte të ardhura të verifikueshme ligjërisht. Megjithatë, stili i tij i jetesës në Spanjë tregonte një mbështetje të fuqishme financiare. Regjistrimet e vëzhgimeve të Madridit zyrtar përfshinin takime të shumta me Aleksei Lagunin, një financier rus i lidhur me transaksione të vlerës së lartë. Sipas raportimeve të dokumentuara të autoriteteve spanjolle , këto kontakte përfaqësonin “mbrojtje ekonomike” — një tregues se stabiliteti financiar i Sahitajt nuk ishte rezultat i burimeve të tij, por i një mbështetjeje të jashtme me interesa të mundshme gjeopolitike.
Marrëdhënia mes Sahitajt dhe Laguninit përshkruhet si e afërt, me biseda të ngarkuara me indikacione të “mbështetjes ekonomike.”
Në terma praktikë, kjo do të thoshte se Sahitaj nuk kishte thjesht para, ai kishte përkrahje.
Analiza financiare në raportet e lexuara nga ekipi ynë hulumtues vijnë në përfundim se niveli i tij ekonomik ishte “shumë përtej mundësive” të një individi pa burime të ligjshme të ardhurash. Mesazhi ishte i qartë: pasuria e tij vinte nga diku tjetër, jashtë radarëve ligjorë.
Nuk ishte vetëm çështje parash. Në një moment, autoritetet zbuluan komunikime ku Sahitaj pretendonte se kishte aftësinë për të liruar të burgosur. Në një bisedë të regjistruar, ai i tha një bashkëpunëtori se mund të ndihmonte në lirimin e një shtetasi rus nga burgu.
“Po, mund të ndihmoj,” citohej të ketë thënë. “ta Liroj atë.”
Kjo nuk ishte thjesht një deklaratë boshe. Ndikimi i tij shtrihej thellë, shumë përtej manovrave të zakonshme politike.
Provat e rrjedhura në drejtim të ekipit tonë hulumtues zbuluan një figurë që kishte përsosur artin e operimit në hije, një burrë i cili, pavarësisht të kaluarës kriminale, vazhdonte të lëvizte lirshëm mes vendeve, rrjeteve dhe strukturave të pushtetshme me mbështetje nga Moska. Bota e tij ishte ndërtuar mbi mashtrim të kontrolluar, dhe megjithatë, çarjet kishin filluar të shfaqeshin.
Halit Sahitaj kërkohet në disa shtete, përfshirë Gjermaninë, ku është shpallur person non grata. Sipas burimeve, nëse kapet atje, përballet me arrestim të menjëhershëm dhe dëbim. Në Kosovë, autoritetet kanë lëshuar gjithashtu urdhër-arrest për të, për akuza që lidhen me manipulim, shantazh, pastrim parash dhe kërcënime ndaj zyrtarëve. Megjithatë, për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga Spanja, ekstradimi mbetet ligjërisht i pamundur, duke e ndihmuar Sahitajn t’i shmanget drejtësisë. Për më tepër, ai kërkohet edhe në Monte Karlo, Monako dhe Zvicër, duke e forcuar statusin e tij si një i arratisur ndërkombëtar.
Për herë të parë, pyetja nuk është pse Halit Sahitaj kishte kontaktuar me mua.
Pyetja e vërtetë ishte: Nga kush po ikte? Dhe kush ishte qëllimi?
Kalimi i Halit Sahitajt nga krimi i organizuar te operacionet e shërbimeve të fshehta si një kriminel në arrati e pozicionon atë si një figurë kyçe në luftën e dezinformimit në Kosovë. Raportet e prokurorive ndërkombëtare dhe ato të shërbimeve të fshehta që e kanë vëzhguar atë e lidhin Sahitajn me zhvatje, krime financiare dhe fushata ndikimi të mbështetura nga Rusia. Lidhjet e tij me operativë të GRU-së, figura si gjeorgjiano-rusi Zakhar Kalashov dhe figura publike e medias në hapësirën shqiptare Milaim Zeka dhe ish kreun e organizatës kriminale SHIK (Shërbimi Informativ i Kosovës) Kadri Veseli e Sami Lushtaku sugjerojnë se ai nuk është thjesht një kriminel, Sahitaj, është një operativ që përdor dezinformimin dhe manipulimin gjyqësor për të destabilizuar peizazhin e drejtësisë dhe politik të Kosovës.





Si e Përdori GRU-ja Ruse Halit Sahitajn për Destabilizimin e Kosovës
Lidhjet e Halit Sahitajt me Spiunazhin Rus dhe Krimin e Organizuar: Dosjet e Halit Sahitajt nuk sugjerojnë thjesht një të kaluar kriminale, ato dëshmojnë një model të vazhdueshëm mashtrimi, zhvatjeje dhe aktivitetesh të lidhura me shërbimin e fshehtë rus. Autoritetet spanjolle e identifikuan atë si një figurë kyçe në një rrjet kriminal transnacional që përfshinte pseudonime të shumta, manipulime financiare dhe lidhje me individë nën ndikimin e shërbimeve të fshehta ruse. Pamjet e vëzhgimit dokumentuan ndërveprimet e tij me Aleksei Lagunin, një financier rus i dyshuar për pastrim parash në funksion të operacioneve të lidhura me shërbimet ruse.
Kjo nuk kishte të bënte vetëm me korrupsionin, ishte një përpjekje e organizuar për të orkestruar dezinformim dhe ndërprerje të funksioneve ligjore, në shërbim të agjendave më të gjera politike në Kosovë dhe përtej saj.
Në dhjetor të vitit 2020, Policia Gjyqësore e Monakos i dërgoi Halit Sahitajt një ftesë për t’u paraqitur për marrje në pyetje, në lidhje me akuza për shantazh, shpifje, ngacmim dhe kërcënime. Dokumenti zyrtar e vendoste adresën e tij në Dominion Beach, Cabrillas, Spanjë, ndërsa e lidhte atë gjithashtu me vendlindjen e tij në “Istog, Serbi” një qytet që ndodhet sot në rajonin perëndimor të Pejës, Republika e Kosovës – [sipas letërnjoftimit serb të siguruar nga burime të verifikuara nga Gunpowder Chronicles] – duke sugjeruar një të kaluar të thellë të rrënjosur në vijat e përplasjes politike të Ballkanit.
Një gjë është të jesh një "fixer" profesionist me dosje kriminale. Diçka krejt tjetër është të jesh një operativ që lëviz mes botëve të diplomacisë, spiunazhit dhe rrjeteve të kriminale.

Pastaj erdhi lidhja vendimtare: Igor Vladislavovich.
Një operativ i shërbimit të fshehtë rus me lidhje të drejtpërdrejta me Vladimir Alekseev, një oficer i lartë i GRU-së (Agjencia Kryesore e Shërbimit të Fshehtë Ushtarak të Rusisë), Vladislavovich nuk ishte thjesht një emër tjetër. Ai përfaqësonte hallkën drejt diçkaje më të madhe, diçkaje shumë më të rrezikshme.
Zvicra: Takimi Para Arrestimit
Prova fotografike që u vënë në disponim të ekipit tonë e vendosin Halit Sahitajn në Zvicër, midis nëntorit dhe dhjetorit 2020, duke u parë në bisedë me Igor Vladislavovich. Koha ishte kritike, vetëm disa ditë përpara arrestimit të Sahitajt në Spanjë, më 20 dhjetor 2020.
Në botën e operacioneve të shërbimeve të fshehta, takime të tilla rrallë janë rastësore. Pyetja nuk ishte vetëm se çfarë u diskutua, por nëse ata po vinin në lëvizje një mekanizëm më të madh.
Sipas burimeve tona dhe dokumenteve të verifikuara nga ne, Vladislavovich nuk vepronte i vetëm. Ai shërbente si ndërmjetës për kushëririn e tij, Vladimir Alekseev, një figurë kyçe në operacionet e shërbimeve ruse, veçanërisht ato që synonin kundërshtarët e Kremlinit. Rrjeti i Alekseev shpesh rekrutonte individë me lidhje kriminale dhe lidhje të lirshme me Rusinë, persona të cilët fshiheshin në hije, duke e bërë të paqartë kufirin midis krimit të organizuar dhe operacioneve të mbështetura nga shteti.

Sahitaj, siç doli, i përshtatej për mrekulli këtij profili: një operativ i lindur në Kosovë, me lidhje të thella financiare, identitete të shumta dhe një bashkëshorte me origjinë ruso-ukrainase, ai lëvizte me lehtësi midis qarqeve që pak veta mund t’i përshkonin nënbotës kriminale të Evropës Perëndimore, politikës ballkanike dhe korridoreve të shërbimeve të fshehta në Moskë.
Një Model Ndikimi dhe Shmangieje
Nuk ishte vetëm takimi në Zvicër që ngriti alarmin. Ishte modeli i përsëritur. Sahitaj kishte kaluar vite duke orkestruar ndikimin, duke iu shmangur pasojave ligjore dhe duke grumbulluar pushtet përmes rrjeteve që shpesh përputheshin me frontet e shërbimeve të fshehta ruse. Lidhja e tij me Vladislavovich i cili, sipas raporteve të autoriteteve ndërkombëtare të sigurisë, vepronte nën urdhrat e drejtpërdrejtë të Alekseev sugjeron se Sahitaj nuk është thjeshtë një figurë e lidhur mirë me krimin e organizuar. Ai ishte një aset. Gjurmët e Sahitajt nuk ndaleshin me një takim të vetëm. Lëvizjet e Vladislavovich-it ishin ndjekur me kujdes. Burime tona konfirmuan se Vladislavovich kalonte kohë në Londër, Zvicër dhe Rusi, duke koordinuar operacione që përfshinin lëvizje të paligjshme financiare dhe mbledhje të informacionit për interesat e Moskës. Rezidenca e tij britanike dhe udhëtimet e shpeshta në Zvicër tregojnë se Vladislavovich nuk ishte thjesht një agjent terreni, ai ishte një organizator, një mbikëqyrës, dikush i pozicionuar për të drejtuar operacione afatgjata. Dhe brenda këtij kuadri, roli i Sahitajt bëhej gjithnjë e më i dyshimtë, gjithnjë e më i dukshëm.
Arrestimi në Spanjë: Rastësi apo Lëvizje e Llogaritur?
Arrestimi i Sahitajt më 20 dhjetor 2020, në Spanjë, nuk ishte thjesht një çështje kriminale, ishte një ndërhyrje me rrezik të lartë nga organet e rendit, ndoshta me qëllim ç’montimin e një rrjeti të lidhur me GRU-në që operonte në të gjithë Evropën Perëndimore. Lidhjet e tij me mashtrim financiar, shantazhet politike dhe operacione të mbështetura nga shërbimet ruse e kishin vendosur nën vëzhgim të rreptë. Arrestimi i tij nuk ishte një rastësi, por një ndërhyrje e mirëmenduar për të prishur një rrjet të operacioneve ruse që kishin vënë në nishan vrasjen e opozitës së Putinit nëpër evropë.
A kishte shkaktuar lidhja e Sahitajt me Vladislavovich një reagim të nivelit të lartë nga agjencitë e zbatimit të ligjit që synonin të shkatërronin një rrjet të GRU-së në Evropën Perëndimore?
Fakti që një numër i madh i dokumentacionit i parë nga ekipi ynë konfirmon arrestimin e tij dhe e lidh Sahitajn me operativë të shërbimeve të fshehta ruse sugjeron se agjencitë e inteligjencës e kishin ndjekur lëvizjen e tij prej kohësh. Takimet në Zvicër mund të kenë qenë pjesa e fundit e mozaikut, momenti që vulosi fatin e tij.
Por mbetej një pyetje e fundit që rëndonte: Nëse Sahitaj ishte neutralizuar, çfarë po planifikonte ai para se të arrestohej? Dhe, më e rëndësishmja: kush është ende atje, duke vazhduar aty ku ai e la?
Lufta kundër Drejtësisë në Kosovë
Gjetjet tona tregojnë se Tribunali i Kosovës për krime lufte në Hagë, i themeluar për të mbajtur përgjegjës udhëheqësit e mëparshëm, është vënë në nishan të sulmeve të vazhdueshme nga aktorë politikë dhe individë të lidhur me shërbimet e fshehta ruse dhe ato kriminale, të cilët duket se synojnë të shkatërrojnë besueshmërinë mbi të. Ky operacion përfshin një rrjet gazetarësh, figurash politike dhe operativësh të huaj, përfshirë të cilët po ndihmohen nga Halit Sahitaj. Disa prej tyre të identifikuar gjatë hulumtimeve tona janë:
Berat Buzhala: Gazetar dhe ish-politikan i korruptuar nga Kosova, i lidhur me krimin e organizuar, i njohur për përhapjen e narrativave pro-serbe9.
Fitim Çeku10: Operativ mediatik që i jep zë mesazheve politike dhe sulmuese të Richard Grenell, ky i fundit besohet se paguhet nga të afërmit e Hashim Thaçit për ta sulmuar e diskrediturar tribunalin e Kosovës në Hagë.
Baton Haxhiu11: Figurë mediatike e lidhur me inteligjencën, me dyshime për lidhje me operativë serbë.
Artan Behrami12: Ish-gazetar i kthyer në operativ politik, i implikuar në ndërhyrje të drejtësisë ndaj Tribunalit të Kosovës në Hagë13.
Elmi Reçica: Deputet i Kuvendit të Kosovës nga partia e Hashim Thaçit PDK dhe numri dy i rrjetit të inteligjencës SHIK – i cili është ndaluar nga BE, por për të cilin rrjet besohet gjerësisht se vazhdon të funksionojë plotësisht në Kosovë. SHIK dyshohet për orkestrimin e vrasjeve politike gjatë dhe pasluftës në Kosovë.
Milaim Zeka: Luan një rol koordinues në përpjekjet mediatike duke i përdorur fabrikimet Halit Sahitajt. Roli kyç i Zekës në formësimin e narrativave ndikon ndjeshëm në peizazhin politik dhe gjyqësor të Kosovës, duke e bërë atë një figurë kyçe në ndikimin ndaj rezultateve të tribunalit për krime lufte.
Zbulimet tona gjithashtu tregojnë se si Zeka dhe Sahitaj përfshijnë rregullisht familjet e tyre në këto operacione, përfshirë edhe djalin e Sahitajt, i cili luan një rol të drejtpërdrejtë.
Gjetjet tona tregojnë se ky rrjet ka qenë thelbësor në orkestrimin e një fushate dezinformimi që synon të dobësojë rrugëtimin e drejtësisë dhe të ndikojë perceptimin publik në favor të individëve që përballen me akuza për krime lufte dhe vrasje politike në tribunalin për krime lufte të Kosovës në Hagë.
Shkatërrimi i Tribunalit për Krime Lufte në Kosovë nuk është thjesht një çështje ligjore – është një betejë gjeopolitike me pasoja të thella. Aktorët e përfshirë në këtë përpjekje po përdorin çdo mjet të mundshëm – nga dezinformimi e deri te manovrimet ligjore – për të siguruar që llogaridhënia të minohet.
Çfarë vjen më pas?
Me vazhdimin e publimit të gjetjeve të këtij hulumtimi disa mujor, artikulli i ardhshëm do të zbulojë tërësinë e lidhjeve të Halit Sahitajt, duke nxjerrë në dritë figurat kyçe pas skenave dhe objektivat e tyre përfundimtare.
Mbështesni Gazetarinë e Pavarur 📢
☑ Dhuro | ☑ Abonohu | ☑ Shpërndaje Me Të Tjerë.
Brenda Komplotit për Shkatërrimin e Gjykatës Speciale
Ryshfeti që Zbuloi një Konspiracion: Në janar, një iniciativë mashtruese nga një përdorues i Facebook-ut me emrin "Laky Laky" u përshkallëzua shpejt përtej komplimenteve për punën time si gazetar. Ajo që filloi si lavdërim për raportimet e mia mbi manovrimet gjeopolitike, shpejt zbuloi një përpjekje të keqe për të komprometuar integritetin tim si gazeta…
Dokumentimi i komunikimit me Halit Sahitajn - nëpërmjet rrjetit Facebook - ku ai paraqitet me nofkën ‘Laky Laky’ — The GPC [PDF File].
Whistleblower Complaint by John F. Moynihan Faqe 11/12 PDF Report.
EKSKLUZIVE! GRENELL merr në dorëzim AUDIOPËRGJIMIN që FUNDOS JACK SMITH/ LIROHET HASHIM THAÇI? — Top Channel.
‘Kërko Falje, Mos u zgerdhi kur përmend emrin tim’ I Pafytyrë, Zeka i kthehet ashpër Jakupit — KLAN Kosova.
Urdhëri për Bastisjen e Halit Sahitajt i lëshuar nga Gjykata në Marbella, Spanjë – 2020 — The GPC I Unit [PDF File].
Richard Grenell: I dëbuar me turp nga Gjermania, i përjashtuar si i pabesueshëm nga inteligjenca amerikane, i nderuar nga Serbia dhe tani i degraduar në një teatër pa ndikim, pa relevancë dhe pa të ardhme. — SL.
Baton Haxhiu — X Post.
Vuçiq e përqafon BAton Haxhiun — X Post Video.