Teatri i Kriminelëve me Kravata
Buka kushton më shumë se e vërteta. Dhe dinjiteti, më pak se një makiato. Kjo nuk është ekonomi, është mizori e organizuar nga kriminelët me kravata.
Ka një mizori të çuditshme në faktin që të kërkohet të paguash më shumë për më pak. Në Kosovë, kjo mizori ka filluar të përkufizoj jetën e përditshme të qytetarëve, atyre që në përballje me një paqëndrueshmëri ekonomike, gjenden në mëshirën e duarve të dukshme dhe të padukshme që shtrëngojnë lakun e inflacionit përreth qafave të tyre. Këtë muaj, qytetarët po përplasen në një tjetër kapitull të historisë moderne, ku ngritjet e çmimeve të energjisë elektrike, bukës dhe kafesë, duket se janë një tregim më i errët se sa luhatjet e zakonshme të tregut.
Në fund të prillit, Koha Ditore raportoi1 një zhvillim shqetësues: bizneset nëpër Kosovë filluan të rrisin çmimet e produkteve esenciale përpara hyrjes zyrtare në fuqi të tarifave të reja të energjisë elektrike, të miratuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE). Ngritja 16.1% u arsyetua me gjuhë burokratike si e nevojshme për qëndrueshmëri. Por për qytetarin mesatar, tashmë i rënduar nga paga të ngrira dhe varfëri sistematike, ndikimi ka qenë pothuajse katastrofik. Një bukë tani shitet për 0.80€, nga 0.60€ vetëm pak javë më parë. Në kafenetë e kryeqytetit, një makiato, dikur shoqëruesja e përulët e diskutimeve qytetare duket se ka arritur në 1.50€.
Pronari i një kafeneje në qendër të Prishtinës e arsyeton ngritjen me një tërheqje supesh të pashmangshmërisë: “Furnitorët i kanë ngritur çmimet, dhe tani duhet ta bëjmë edhe ne. Përndryshe, nuk mbijetojmë.” i ka thënë ai të përditshmes KOHA. Ka një dëshpërim të heshtur në këto fjalë, një rrëfim pafuqie i maskuar si logjikë tregtare. Por përtej sipërfaqes fshihet një rrjet i tërë bashkëpunimi, manipulimi dhe neglizhence.
Skandali i vërtetë nuk është thjesht ekonomik, është moral, politik dhe institucional. Vetë aparati që është projektuar për të mbrojtur popullin nga grykësia korporative dhe abuzimi i tregut është sabotuar. Në tetor të vitit 2022, qeveria Kurti miratoi Ligjin për Tavanin e Çmimeve, një përpjekje ambicioze për të ndalur ngritjet e qëllimshme të çmimeve2. Por brenda pak javësh, partitë opozitare, me një shpejtësi dhe unitet të dyshimtë, e dërguan ligjin në Gjykatën Kushtetuese.
Këtu, dua ta kujtoj Albert Kamynë3, i cili në librin e tij ‘Combat4’, ndër të tjera shkroi:
"Të jesh i lirë nuk është asgjë, të bëhesh i lirë është gjithçka." — Kamy.
Populli i Kosovës ishte në prag të çlirimit nga shfrytëzimi ekonomik, por duket se sikur u lidh sërish nga vetë ata që pretendojnë se i përfaqësojnë.
Në nëntor të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese e rrëzoi ligjin5. Arsyetimet ishin të mbuluara me gjuhë juridike, por pasojat ishin të qarta: mekanizmi i vetëm ligjor për të rregulluar çmimet shfrytëzuese u shkatërrua. Në vakuumin që la kjo, interesat oligarkike, shpesh të mbrojtura nga media dhe figura politike të lidhura me kriminelë edhe të listuar nga SHBA6, mbushën boshllëkun. Pasoi një rrethim i qëllimshëm inflacionist, i maskuar si liri tregu.
Ata që dogjën shpresën për kontroll çmimesh, tani vajtojnë për ngritjen e tyre. Është një teatër ku maskat janë më të ndyra se fytyrat. — Vudi Xhymshiti.
Selatin Kaçaniku, kryetar i Shoqatës së Konsumatorëve, foli hapur: “Paralajmërimi për rritje të energjisë elektrike u bë si një dritë jeshile për bizneset që të ngrisin çmimet. Ishte një veprim i qëllimshëm, i mundësuar nga heshtja e qeverisë dhe sabotimi opozitar.” Ai shtoi më tej: “Vaj halli për konsumatorët” — një dëshpërim i zakonshëm që dëgjohet në tregje nga qytetarët që krahasojnë çmimet e djeshme me ato të sotme.
Dhe megjithatë, ekziston një element edhe më i rrezikshëm, një dryshk i besimit publik, i orkestruar nga një rrjet kriminal i përbashkët, i veshur me legjitimitet parlamentar7. Të njëjtat forca politike që për më shumë se dy dekada kanë zhdukur miliona euro përmes kontratave fantazmë. si ato miliona euro të dhëna firmave të lidhura me Milan Radoiçiqin, organizatorin e sulmit të armatosur në veri të Kosovës në shtator 2023, e tani po ankohen për rritje çmimesh. Indinjata e tyre e organizuar, e përhapur përmes mediave të nënshtruara, ka më shumë të bëjë me llogaritje politike sesa me drejtësi ekonomike.
Ironia është e turpshme. Ata që e dënuan tarifën e energjisë si një sulm ndaj popullit, vetë ishin ata që shkatërruan mjetin ligjor që mund të kishte zbutur efektet e saj. Është një teatër kafkian, ku keqbërësit luajnë rolin e viktimave, dhe populli mbetet i detyruar të zgjedhë mes bukës dhe dinjitetit.
Albert Kamy na paralajmëroi:
"Mireqenia e popullit në veçanti ka qenë gjithmonë alibia e tiranëve." — Kamy.
Dhe kështu, ata që pretendojnë se mbrojnë popullin janë bërë arkitektët e vuajtjeve të tij. Manipulimi është i saktë: krijo dëshpërim ekonomik, shkakto pakënaqësi publike, dhe përdore atë kundër qeverisë në fuqi. Në këtë mënyrë, ata krijojnë një narrativë8 ku qeveria Kurti, pavarësisht përpjekjeve për të kontrolluar çmimet, akuzohet si fajtore.
Ndërkohë, pronarët e restoranteve dhe hoteleve, siç e thotë Hysni Sogojeva nga Oda e Hotelierisë dhe Turizmit, janë afër falimentimit. “Bizneset, sidomos në gastronomi dhe hoteleri, mezi qëndrojnë në këmbë,” thotë ai. Rritja e kostos së energjisë i ka detyruar të rrisin çmimet ose të mbyllin dyert. Dhe ndërsa çmimet rriten, konsumatorët tërhiqen, duke krijuar një cikël vicioz që mbyt kërkesën dhe ofertën.
Pagat mbeten të ngrira. Qiratë rriten. Nevojat bazë si buka dhe qumështi bëhen luks. Dhe në këtë krizë të kostove të rritura dhe mbështetjes që mungon, qytetari pyet: kush flet në emrin tim?
Përgjigjja, të paktën për tani, duket të jetë: askush me fuqi reale. Gjykata pretendon neutralitet. Opozita pretendon pafajësi. Tregu pretendon pashmangshmëri. Por populli, i zënë në këtë tradhti të trefishtë, e di të vërtetën.
Kamy dikur tha: "Bujaria e vërtetë ndaj së ardhmes qëndron në të dhënit gjithçka për të tashmen."
E tashmja kërkon jo vetëm një indinjatë reaktive, por edhe guxim strukturor: guxim për të ekspozuar bashkëpunimin e fshehtë, për të emërtuar ata që përfitojnë nga mjerimi i sajuar, dhe për të mbrojtur parimet përpara interesave të tregjeve, ashtu siç qeveritë duhet t’i shërbejnë të mirës publike.
Kosovës nuk i mungon qëndrueshmëria. Por qëndrueshmëria nuk duhet ngatërruar me pajtimin. Populli është përballuar me luftë, ndarje, dhe zhvendosje. Por nuk duhet të përballojë edhe grykësinë e atyre që veshin kostume ditën në parlament dhe nënshkruajnë kontrata me kriminelë natën.
Mësimi është i hidhur, por duhet mësuar: liria nuk është thjesht e drejta për të votuar çdo katër vjet; është e drejta për të jetuar me dinjitet çdo ditë. Dhe në një vend ku buka kushton më shumë se e vërteta, është dinjiteti ai që është më shumë në rrezik.
Pyetja, pra, nuk është nëse çmimet do të bien, por nëse populli do të ngrihet., 'jo vetëm në protesta, por në vigjilencë të përhershme. Vetëm atëherë Kosova mund të bëhet vërtet e lirë.
"Në mes të dimrit, gjeta brenda vetes një verë të pathyeshme.” — Albert Kamy.
Për Kosovën, ajo verë do të vijë. Por vetëm nëse e kujtojmë se kush tentoi ta varrosë atë dhe pse.
📢 Mbështesni Gazetarinë e Pavarur
☑ Dhuro | ☑ Abonohu | ☑ Shpërndaje Me Të Tjerë.
Sabotimi i Shtetit, Një Postim Pas Tjetrit
Në një mëngjes pranveror në Prishtinë, ndërsa kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dilte nga godina qeveritare, një formacion i oficerëve të mbrojtjes së afërt e rrethoi me një saktësi thuajse ceremoniale. Lëvizjet e tyre ishin të koreografuara dhe të stërvitura, me sy të mprehtë, e me hapa të matur. Ajo që duhej të ishte një par…
Çmimet nisin “të fluturojnë” — KOHA Ditore.
Nis hetimi pas paralajmërimit për t’i shtrenjtuar 20 produkte — KOHA Ditore.
Projektligji për çmimet tavan që LDK e dërgoi në kushtetuese, Ministria: Është në harmoni me Kushtetutën — Indeks Online.
Albert Camus ishte një filozof, shkrimtar dhe gazetar francez me origjinë algjeriane, i njohur për kontributin e tij në filozofinë e absurdit dhe për qëndrimin e tij etik ndaj padrejtësive shoqërore. Ai fitoi Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1957.
Combat ishte një gazetë ilegale e rezistencës franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku Kamy shërbeu si redaktor. Përmes saj, ai artikuloi qëndrime të guximshme kundër fashizmit, duke mbrojtur të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë, edhe në rrethana shtypjeje brutale.
Gjykata Kushtetuese e shpall antikushtetues ligjin për çmimet tavan për produktet bazë — Kallxo.com.
Ligji për çmimet tavan, shpjegimi i kryetares së GjK-së – Mehmetaj: “Qe ngone rrenën e shekullit nga qeveria” — Demokracia.com.