Kushtetuta Flet: Mjaft Me Barrikada
Gjykata Kushtetuese e Kosovës shpalli të papranueshëm bllokimin politik: Kuvendi s’mund të mbetet peng i inatit, frikës apo interesit të korruptuar partiak.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës i publikuar më 26 qershor 2025 për rastin KO124/251, përfaqëson një ndër ndërhyrjet më të rëndësishme dhe vendimtare të kësaj gjykate në jetën institucionale të vendit që nga shpallja e pavarësisë. Vendimi nuk është thjesht interpretim juridik i një procedure të dështuar; ai është një akt themeltar i rivendosjes së funksionalitetit kushtetues të institucioneve të Republikës dhe një rikujtim i ashpër ndaj aktorëve politikë se Kushtetuta nuk është një dokument opsional, por një obligim i detyrueshëm.
Për çfarë bëhet fjalë?
Objekti i shqyrtimit të Gjykatës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të Kuvendit të Kosovës që lidhen me refuzimin për të formuar Komisionin për Votim të Fshehtë, si dhe të gjitha aktet tjera që penguan procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e shkurtit 2025. Kërkesa ishte parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe 10 deputetë të tjerë të opozitës.
Çfarë ka vendosur Gjykata?
1. Seanca e konstituimit nuk është realizuar
Gjykata konstatoi se seanca e filluar më 15 prill 2025 nuk mund të konsiderohet e përfunduar, përderisa nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Me fjalë të tjera, Kuvendi nuk ekziston si institucion funksional derisa të kryhet ky hap formal, dhe çdo veprim i ndërmarrë në këtë ndërkohë është i cunguar në legjitimitet.
2. Obligim absolut për ta përmbyllur konstituimin brenda 30 ditëve
Gjykata i obligoi deputetët që brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi të përfundojnë seancën konstituive. Ky është një afat fatal. Dështimi për ta respektuar këtë do të hapte rrugën për pasoja të mëdha kushtetuese dhe institucionale.
3. E drejta për të propozuar nuk është e drejtë për të bllokuar
Gjykata përsëriti se e drejta e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin për kryetar Kuvendi është një e drejtë e sanksionuar, por njëkohësisht është edhe një detyrim për konsultim dhe bashkëpunim me grupet tjera parlamentare. Refuzimi i pjesëmarrjes në votim, apo bojkotimi i përsëritur i seancave, nuk përbën shprehje të së drejtës parlamentare, por abuzim me Kushtetutën.
4. Mandati i deputetit varet nga konstituimi i Kuvendit
Gjykata theksoi se mandati i deputetit nuk mund të jetë funksional pa u konstituar Kuvendi. Deputetët janë përfaqësues të sovranit vetëm nëse ushtrojnë funksionin në përputhje me Kushtetutën. Pa kryetar, pa nënkryetarë dhe pa përmbushje të procedurave, Kuvendi nuk mund të fillojë as punën ligjvënëse, as mbikëqyrëse, as vendimmarrëse.
5. Asnjë grup politik nuk ka të drejtë ta bllokojë përfaqësimin institucional
Ky është një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj opozitës: bojkotimi, mosvotimi, mungesa e kuorumit si mjet presioni politik është i papranueshëm kur rrezikohet vetë funksionaliteti i republikës. Kushtetuta është superiore ndaj interesave të grupeve dhe partive politike.
Çfarë do të thotë ky vendim?
Ky aktgjykim nuk është thjesht një udhëzim teknik për të kaluar një ngërç parlamentar. Ai është një akt fuqizues i rendit kushtetues dhe i demokracisë parlamentare. Gjykata Kushtetuese po i kujton klasës politike, e në veçanti opozitës se demokracia nuk funksionon në bazë të inatit, interesit të ngushtë partiak apo frikës nga humbja e privilegjeve.
Ky vendim riafirmon se në një republikë parlamentare, asnjë palë nuk ka të drejtë të bllokojë institucionin themelor të përfaqësimit qytetar. Kuvendi duhet të konstituohet. Deputetët nuk mund të paguhen për të mos përmbushur funksionin për të cilin janë votuar.
Në kontekstin e një beteje më të gjerë politike, ku reformat anti-korrupsion të qeverisë Kurti kanë sfiduar rrënjësisht strukturat e vjetra të pushtetit të pasluftës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen si një mbështetje e heshtur, por e qartë për funksionalitetin e shtetit të së drejtës.
Në një vend të ri, por të përballur me sfida të vjetra, ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është një shtyllë mbështetëse për rendin institucional. Ai i rikujton të gjithë aktorëve se në Kosovë nuk ka më vend për politikën e shantazhit, as për partitë që e shohin pushtetin si mburojë për korrupsionin. Kjo është një thirrje për kthesë. Dhe nëse kjo thirrje nuk dëgjohet, atëherë, do të jetë vetë Kushtetuta ajo që do të flasë me forcën e ligjit dhe me mbështetjen e popullit.
Këtë fotografi e kemi vendosur si ilustrim përmbyllës të këtij artikulli jo vetëm për të rikujtuar dhunën që ka karakterizuar përpjekjet për të bllokuar shtetin e Kosovës, por për të vënë theksin se pas çdo përplasjeje politike dhe institucionale, qëndrojnë tentativa të vazhdueshme për të sabotuar sovranitetin e vendit tonë. Kamionët e djegur mbi urën në afërsi të Rudares në dhjetor të vitit 2022, të vendosur nga grupe serbe të mbështetura nga Beogradi, simbolizojnë pengesat fizike e politike që për vite me radhë kanë sfiduar rendin kushtetues. Sot, ndërsa Gjykata Kushtetuese kërkon rikthimin në normalitet institucional, kjo fotografi na kujton pse ky rend duhet mbrojtur me vendosmëri. — Vudi Xhymshiti.

☑ Dhuro | ☑ Abonohu | ☑ Shpërndaje Me Të Tjerë.
Arsenali i Aco-s: Armë, Gënjeshtra dhe Diplomatët e Huaj
Të dielën, Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dha një deklaratë tronditëse që ka shkaktuar jehonë në mjedisin politik dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Sipas ministrit, gjatë një operacioni policor të zhvilluar në fshatin Vallaq të komunës së Zveçanit, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), Zyrën e Prokurorit të Shtetit dhe me praninë vëzhguese të përfaqësuesve ndërkombëtarë nga KFOR-i dhe EULEX-i, është zbuluar një depo armësh e përmasave shqetësuese. Ajo që është gjetur, sipas Sveçlës, do të mjaftonte për të armatosur një njësi të tërë terroriste.
Njoftim për publikimin e aktgjykimit KO124/25 — Kallxo.com