Kur Vota Mund të Bëhet Vetëposhtërim
Një votë për Ramën më 11 maj është një votë për heshtjen ndaj krimeve, për përuljen ndaj Beogradit, dhe për përdhosjen e sakrificës kosovare në emër të “stabilitetit” të rremë.
Po të kishte një moment në historinë politike shqiptare kur reflektimi duhet të jetë më i thellë se propaganda, më i sinqertë se besnikëria partiake dhe më i guximshëm se konformizmi diplomatik, ky moment është tani. Edi Rama kërkon një mandat të katërt, dhe kërkesa e tij nuk është thjesht një tjetër kërkesë për pushtet; është një provë morale për ndërgjegjen kolektive të shqiptarëve. Sepse ajo që është në lojë nuk është vetëm drejtimi i një qeverie, por vektori moral dhe historik i një kombi që ende nuk i ka mbyllur llogaritë me historinë e tij dhe që, përmes Ramës, mund të jetë duke e hapur një kapitull të rrezikshëm të mohimit të vetvetes.
Që nga momenti kur, në vitin 2018, ideja e ndarjes territoriale mes Kosovës dhe Serbisë mori jetë në tavolinat e errëta të diplomacisë oportuniste, Edi Rama nuk ishte thjesht i heshtur, ai ishte i pranishëm në mënyrën më të dëmshme të mundshme: si spektator që mban anën e gabuar të historisë. Heshtja e tij përballë planeve që do ta kthenin Kosovën në precedent të ndarjes etnike në Evropë ishte më shumë se mungesë guximi; ishte konfirmim për bashkëpunim të heshtur. Nëse në atë kohë Thaçi dhe Vuqiç pikturonin hartat e reja me stilolapsa gjeopolitikë të ndikuar nga interesa të huaja, Rama e përqafoi këtë imagjinatë me një cinizëm të ftohtë që nuk mund të maskohet më si realizëm diplomatik. Haradinaj i dha zë denoncimit, duke përmendur jo vetëm tradhtinë politike por edhe lidhjet me interesa të dyshimta ekonomike rreth pasurive të Trepçës. Përgjigja e Ramës nuk ishte transparencë, por padi për shpifje, një akt që fliste më shumë për frikën nga e vërteta sesa për ndershmërinë e tij politike.
Kur erdhi propozimi për “Ballkanin e Hapur”, i promovuar me energjinë e një tregtari itinerant që shiste stabilitet të paketuar në letër celofoni, Rama e shiti këtë projekt si domosdoshmëri moderne, ndërkohë që e përjashtonte Kosovën si partner të barabartë. Ai buzëqeshte krah Vuqiçit, nën hijen e një historie që ende pikon gjak e plagë të pahapura. Rama zgjodhi të promovojë një narrativë bashkëpunimi që në të vërtetë kërkon forcimin e hegjemonisë së Beogradit në rajon dhe legjitimon mohimin e shtetësisë së Kosovës. Në vend që të ftonte Kosovën me respekt, ai e qortoi publikisht udhëheqësin e saj si të paditur e gënjeshtar. Ishte një zgjedhje që nuk e bëjnë ata që kujdesen për interesin kombëtar, por ata që kujdesen për reputacionin personal në qarqet ndërkombëtare.
Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe ishte hapi tjetër në këtë rrugëtim të deformuar politik. Në vitin 2023, Rama jo vetëm që e përgatiti një draft pa konsultim me institucionet e Kosovës, por edhe e dorëzoi atë te liderë ndërkombëtarë, duke folur në emër të një shteti që nuk e kishte mandatuar. Ky akt i Ramës, nuk ishte më thjeshtë përfshirje, ishte uzurpim diplomatik. Dhe kjo nuk mund të justifikohet me frazën “jam këtu për Kosovën”, kur veprimet flasin ndryshe. Për shumëkënd në Prishtinë, ai ishte aty për Serbinë. Dhe historia do ta regjistrojë këtë moment si një nga më të errëtit në marrëdhëniet shqiptaro-shqiptare.
Në krizën në veriun e Kosovës, kur dhuna nxitej nga Beogradi dhe strukturat joligjore sfidonin pushtetin e ligjshëm të Prishtinës, Edi Rama nuk qëndroi në krah të qeverisë së Kosovës. Përkundrazi, ai mbështeti qëndrimet agresive dhe sunduese të Beogradit, të bashkërenduara me Moskën. Për të ruajtur pamjen e një figure të ekuilibruar në letrat e tij të djegura, ai doli publikisht në anën e atyre që kërkonin "neutralitet", në një situatë ku morali nuk linte vend për paqartësi. Në vend të solidaritetit, ai ofroi kritika për Kurtin. Në vend të takimit tradicional mes dy qeverive shqiptare, ai zgjodhi të anulojë çdo kontakt, një anulim që nuk ishte teknik, por simbolik. Ai tregoi se kur tensioni rritet, prioriteti i tij nuk është bashkimi, por largësia. Prioriteti i tij ishte Beogradi, pikërisht atëhere kur duhej të ishte Prishtina.
Për të thelluar edhe më tej krizat, u emërua në krye të Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH) një ish-zyrtare e përjashtuar nga inteligjenca e Kosovës. Dërgimi i saj në Beograd për të bashkëpunuar në fushën e zbulimit me një regjim që ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, e që vetëm 25 vite më parë kishte për synim zhdukjen e shqiptarëve etnikë nën moton "një shqiptar i mirë është një shqiptar i vdekur" — ishte një hap krejt i pakuptueshëm. Ky veprim jo vetëm bie ndesh me çdo standard sigurie të një shteti anëtar të NATO-s dhe aspirant për integrim në Bashkimin Evropian, por shfaq një afërsi të rrezikshme me politika që i përngjajnë më shumë axhendave të Kremlinit sesa atyre të Prishtinës, Brukselit apo Londrës. Ky është një akt që e nxjerr Shqipërinë jashtë rolit të një partneri të besueshëm për Kosovën dhe e fut në një zonë të mjegullt të strategjisë shtetërore. Dhe përgjegjësia për këtë i takon drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama.
Kur Serbia tentoi një skenar “Krimeje” në veriun e Kosovës, me referendume të kamufluara dhe dhunë të orkestruar, Rama nuk u ngrit në mbrojtje të integritetit territorial të Kosovës. Ai bëri thirrje për “konferenca paqeje”, që në thelb do të legalizonin një status quo të ndarë, nëse plani serb do të kishte sukses. Ai nuk foli për agresion, por për “realitet të ri në terren”. Kjo retorikë nuk është as e pafajshme, as naive. Ajo përgatit opinionin për një kapitull të pranimit të ndarjes. Dhe kur tentativa serbe dështoi, Rama nuk kërkoi falje. Ai rifilloi monologun e tij të njohur mbi “diplomacinë e mençur” – një mençuri që, në praktikë, e kthen Shqipërinë në jehonë të zërit të Serbisë.
Për të gjitha këto arsye, vota e shqiptarëve më 11 maj nuk është një akt rutinë demokratike. Ajo është një referendum moral mbi rrugën që duam të ndjekim si komb. A jemi të gatshëm të vazhdojmë të përqafojmë një lider që, nën petkun e progresit dhe paqes, ka minuar themelet e bashkëpunimit mbarëshqiptar? A do të lejojmë që bashkimi të mbetet një sllogan për festa dhe jo një vizion për të ardhmen? Nëse i japim Edi Ramës një mandat të katërt, duhet të jemi të vetëdijshëm se nuk po votojmë vetëm për një individ, por për një projekt që po e relativizon interesin kombëtar, duke e bërë atë të tregtueshëm në pazaret ndërkombëtare.
Koha për t’u zgjuar është tani. Në këtë prag zgjedhjesh, çdo votë është më shumë se një numër në kuti: është një qëndrim përballë historisë. Dhe historia, në formën e Kosovës, po na shikon.
Nëse e ardhmja e një kombi ndërtohet jo vetëm mbi zgjedhjet që bën, por edhe mbi të vërtetat që refuzon të kujtojë, atëherë Shqipëria sot qëndron në prag të një gjykimi moral të pashmangshëm. Kosova nuk është një çështje që zgjidhet me buzëqeshje protokolare e marrëveshje pa themele; është një plagë që nuk është shëruar, një kujtim që nuk është fshirë, një kujtesë që kërkon drejtësi, jo harresë. Ajo që për një kontinent është diplomaci, për shqiptarët është ekzistencë. Të tregohesh "neutral" në raport me ata që e kanë mohuar gjakun tonë, është më shumë se gabim, është mëkat. Të shtrëngosh dorën e atij që nuk ka kërkuar ndjesë për masakrat, është të fshish kufirin mes kujtimit dhe tradhtisë.
Që Edi Rama, në emër të "stabilitetit", ka zgjedhur të përqafojë politikisht ata që mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe të nëpërkëmbë zërin e saj legjitim, nuk është më çështje politike, është një dorëzim moral. Nëse Shqipëria, përmes votës së saj, e bekon këtë udhë me heshtje a me harresë, atëherë rrezikon të humbasë jo vetëm kauzën e Kosovës, por edhe shpirtin e vet kombëtar. Sepse vjen një çast, i rrallë, vendimtar, kur një popull duhet të zgjedhë: a do të jetojë me dinjitet në kujtesë, apo do të mbijetojë në turpin e një harrese të heshtur?
📢 Mbështesni Gazetarinë e Pavarur
☑ Dhuro | ☑ Abonohu | ☑ Shpërndaje Me Të Tjerë.
Zgjedhje pa Zgjedhje: Një Komb mes Ramës dhe Zhgënjimit
Në një mëngjes të ngrohtë maji në Tiranë, rrugët e kryeqytetit zgjohen me kontradiktat e zakonshme të Shqipërisë moderne: kullat moderne prej xhami përkrah blloqeve të epokës sovjetike, ndërsa banorët me filxhanë ekspresi në dorë debatojnë politikë në qetësinë e kafeneve të hapura. E diela e 11 majit 2025 shënon një moment kyç për këtë komb ballkanik, k…