Heshtja e Kosovës përballë propagandës është e rrezikshme
Kosova po përballet me një fushatë të orkestruar dezinformimi. Heshtja e qeverisë rrezikon të gërryejë besimin publik dhe të minojë themelet e saj demokratike.
Këtë mëngjes në Ukrainë, teksa u zgjova pas një nate tjetër bombardimesh të pandërprera nga Rusia, hasa në një video të shkurtër dhe të ftohtë nga Kosova1. Në të, Ilir Mirena, kryeredaktor i portalit kosovar Periskopi, bënte një pohim tronditës:
"Prej Shaban Polluzhës e deri te Azem Galica, e deri sot, e deri te UÇK-ja, e kanë shti serbinë me dal jashtë kontrollit me ba masakra, edhe me intervenu NATO. " — Ilir Mirena.
Këtë deklaratë, Valon Syla, një figurë që e quan veten gazetar, por që shpesh përsërit narrativat e vjetra të propagandës serbe, e priti pa kundërshtim.
Ky nuk është thjesht një rishkrim i historisë; është një shtrembërim i qëllimshëm për ta liruar Serbinë nga përgjegjësia për fushatat e saj gjenocidale në Kosovë, Bosnje dhe Kroaci. Të pretendosh se UÇK-ja ka provokuar mizoritë e Serbisë do të thotë të përsëritësh propagandën e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, regjimit që kreu krime të paimagjinueshme në përpjekje për të krijuar një ‘Serbi të Madhe’ etnikisht të pastër.
Emri i Mirenës është përmendur në raportime të rënda nga media boshnjake Slobodna Bosna2, e cila ka ngritur akuza për lidhje mes platformës së tij mediatike dhe rrjeteve të financimit të lidhura me presidentin serb Aleksandar Vuçiq3, dikur ministër i propagandës së Millosheviqit4. Edhe pse raporti nuk ofron prova forenzike direkte, përputhja mes këtyre akuzave dhe përmbajtjes editoriale që e shpërndan Mirena dhe të tjerë si ai është e dukshme.
Mesazhet e tyre pasqyrojnë qartë strategjinë e Beogradit: delegjitimimin e shtetit të Kosovës, të rishkruajnë historinë në favor të Serbisë dhe të nxisin përçarje.
Shembull i fundit: më 31 maj5, Mirena nisi një fushatë të turpshme kundër Saranda Bogujevcit, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës dhe e mbijetuar e njërës nga masakrat më të rënda të luftës. Ai shpërndau një fotografi6 të prerë të Kryeministrit Albin Kurti në një përkujtimore private për familjen Bogujevci, duke e shoqëruar me një koment cinik që banalizonte këtë ngjarje të dhimbshme.
Kjo nuk ishte një rastësi. Ishte nisja e një fushate të koordinuar, ku u bashkuan edhe figura si Lirim Mehmetaj7, Berat Buzhala8 dhe Milaim Zeka, emra të medias që shpesh shkelin parimet bazë të gazetarisë. Postimi i Mehmetajt ishte veçanërisht i ulët, plot me gjuhë seksiste dhe teori konspirative, duke e akuzuar Bogujevcin për përfitim nga tragjedia familjare dhe për dëmtim të shtetit, një rrotullim i turpshëm i së vërtetës.
Qëllimi i kësaj fushate nuk është vetëm të njolloset një e mbijetuar, por të minohet besimi publik në institucionet e Kosovës dhe të zbehet qartësia morale mbi të cilën është ndërtuar Republika e Kosovës. Nuk është rastësi që shumë prej këtyre figurave janë të lidhura me platforma mediatike që dyshohet se kanë interesa të afërta me Beogradin.
Qëllimi i tyre është i qartë: të paraqitet Kosova si një shtet i dështuar, i përçarë dhe i paqeverisshëm, për të avancuar fushatën e vjetër të delegjitimimit të Kosovës në favor të Serbisë.
Kjo duhet t’i shqetësojë të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të çdo demokracie. Në Britani, në shkurt 2022, menjëherë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ne i mbyllëm altoparlantët e Kremlinit Sputnik dhe Russia Today. Edhe Bashkimi Evropian veproi njësoj.
Arsyeja ishte e thjeshtë: propaganda e huaj armiqësore nuk ka vend në një shoqëri të lirë, veçanërisht kur synon të minojë sovranitetin demokratik.
Pse atëherë figura si Ilir Mirena, Valon Syla dhe të tjerët ende kanë hapësirë në ekranet e Kosovës? Pse mungon reagimi publik ndaj atyre që shtrembërojnë të vërtetën, duke u maskuar si gazetarë ndërkohë që i shërbejnë interesave armiqësore?
Qytetarët e Kosovës duhet t’ia bëjnë këtë pyetje vetes urgjentisht. Kjo nuk është çështje bindjesh politike, por çështje e sigurisë kombëtare dhe integritetit moral e historik. Viktimat e luftës së Serbisë në Kosovë, të masakruarit, të dhunuarat, të zhvendosurit, nuk mund të heshtin përballë kësaj përdhosjeje të së vërtetës. Kur këta propagandistë shtrembërojnë historinë, ata shkelin mbi gjakun e viktimave. Ata fyejnë brutalisht kujtimin e të rënëve.
Megjithatë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), institucioni që duhet të mbrojë standardet e gazetarisë, vazhdon të heshtë. Një heshtje e tillë është një dështim i thellë moral. Por, kjo nuk është hera e parë, heshtja e tyre për më shumë se një dekadë e ka sjellur gjendjen këtu ku është. Në çdo demokraci evropiane të pjekur, kjo heshtje do të ishte e paimagjinueshme.
Duhet të vihet një vijë e qartë. Shoqëria civile, gazetarët e vërtetë dhe institucionet shtetërore duhet të veprojnë me vendosmëri. Duhet hetuar burimi i financimeve të këtyre platformave. Nëse akuzat konfirmohen, këto media duhet të mbyllen. Shoqatat e gazetarëve duhet të zbatojnë kode të rrepta etike. Dhe publiku duhet të ngrihet, jo në apati, por në mbrojtje të së vërtetës.
Republika e Kosovës është lindur me guxim dhe sakrificë të jashtëzakonshme. Nuk duhet, e as nuk mund të lejojë që diskursi publik të kapet nga ata që synojnë zhdukjen e saj.
Tani zgjedhja u takon qytetarëve. Do të heshtni ndërsa grabitqarët e së vërtetës paraqiten si gazetarë, apo do ta mbroni kujtimin e të rënëve dhe dinjitetin e republikës suaj?
Kjo nuk është liri e shprehjes. Është luftë psikologjike.
Deklaratat dhe narrativat që po i shtyjnë sot të tillët si Ilir Mirena, Valon Syla dhe bashkëpunëtorët e tyre pasqyrojnë taktikat e dokumentuara të luftës psikologjike ruse. Kjo strategji nuk synon të fitojë një debat publik, por të krijojë konfuzion, të demoralizojë dhe të minojë besimin në institucionet kombëtare. Në thelb, operacionet psikologjike të stilit rus synojnë të mbushin hapësirën informative me shtrembërime, krahasime të rreme dhe histori të rishkruara. Synimi është të krijohet një mjedis ku vetë koncepti i së vërtetës bëhet relativ.
Kjo është pikërisht ajo që po ndodh sot në Kosovë. Duke rrokullisur me narrativë të shtrembëruar përgjegjësinë e Serbisë për fushatën gjenocidale në Kosovë, duke paraqitur qeverinë e Kosovës si agresore dhe jolegjitime kur ajo vepron në vetëmbrojtje dhe duke e minuar qëndrueshmërinë morale të të mbijetuarve të gjenocidit, këta aktorë po kryejnë një sabotim vetëdijshëm. Qëllimi i tyre është të destabilizojnë besimin publik në shtet, ta përçajnë kohezionin shoqëror dhe ta dobësojnë kapacitetin dhe të drejtën legjitime të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin e saj, duke promovuar narrativa që përputhen me interesat e Beogradit dhe partnerëve të tij të lidhur me Kremlinin. Kjo nuk është gazetari. Është luftë informative. Dhe duhet të njihet dhe të trajtohet si e tillë. Është kërcënim i sigurisë kombëtare.
Ish-analisti rus i inteligjencës dhe disidenti Igor Yakovenko ka shpjeguar:
“Qëllimi i operacioneve të tilla psikologjike nuk është vetëm përhapja e gënjeshtrave, por korruptimi i vetë idesë që e vërteta ekziston, për t’i bërë popullatat aq cinike dhe të hutuar sa të mos dallojnë më faktin nga trillimi, duke e paralizuar mundësinë e të menduarit kritik politikisht.”
Ky është pikërisht skenari që është sot në diskursin mediatik të Kosovës.
Anne Applebaum, historiane dhe gazetare fituese e Çmimit Pulitzer, e ka përshkruar këtë fenomen në gazetën The Atlantic si “cinizëm strategjik, një metodë dezinformimi që nuk synon t’ju bindë për një të pavërtetë, por t’ju lodhë aq sa të mos e besoni më edhe të vërtetën dhe asgjë.”
Narrativat revizioniste të Mirenës dhe Sylës funksionojnë pikërisht në këtë mënyrë. Këto nuk janë kritika të mirëfillta. Janë sulme të llogaritura ndaj kujtesës kolektive dhe vullnetit qytetar të Kosovës, shembuj tipikë të propagandës moderne.
Rreziku bëhet edhe më i madh për shkak të heshtjes së zhurmshme të qeverisë së Kosovës dhe institucioneve mbikëqyrëse. Deri tani, ata kanë toleruar praninë e këtyre aktorëve të propagandës në hapësirën mediatike.
Siç ka paralajmëruar dikur disidenti çek Vaclav Havel:
“Kur fillojmë ta tolerojmë gënjeshtrën, bëhemi vetë bashkëfajtorë në mekanizmat e shtypjes.”
Kenneth Roth, ish-drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch, ka deklaruar këtë mars gjatë një paneli global për dezinformimin në Londër ku tha:
“Kur shtetet dështojnë të përballen me gënjeshtrat e qëllimshme, ato i lënë shoqëritë e tyre të pambrojtura ndaj efekteve shkatërruese të propagandës, dhe barra e mbrojtjes bie mbi qytetarët.”
Në Kosovë, kjo është tashmë realitet: Shoqëria civile, mediat e pavarura dhe qytetarët e zakonshëm duhet të ngrejnë zërin. Nëse qeveria nuk vepron për të mbrojtur integritetin e diskursit publik, atëherë duhet ta bëjë vetë publiku. Heshtja vetëm sa do ta lejojë këtë helm të përhapet. Dhe të heshtësh do të thotë të përdhosësh kujtimin e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Është Koha për ta Djegur Propagandën
Prej një fotografie të përngjyrosur nga dhimbja e një familjeje të mbijetuar prej gjenocidit serb, deri tek një operacion i neveritshëm propagandistik për ta shndërruar viktimën në fajtor, këtë javë Kosova ka përjetuar një nga aktet më të pista të përdhosjes publike. Dhe gjithë kjo nisi nga një status i shkruar me buzëqeshje ironike e me fjalë të lehta …
I dashur lexues, nëse vlerësoni përpjekjet e mia për të mbrojtur të drejtën tuaj për informim dhe të ardhmen e vendit tonë, ju ftoj të më mbështesni me aq sa mundeni.
Mund të bëni një donacion ose të abonoheni me pagesë €5 në muaj. Çdo kontribut juaj është një gur-themeli për të vazhduar të raportoj ndershmërisht dhe të hedh dritë mbi çështjet që kanë rëndësi për të gjithë ne.
Gazetaria e pavarur ka nevojë për mbështetjen tuaj për të mbrojtur sigurinë kombëtare, etikën e gazetarit dhe cilësinë e të raportuarit dhe integritetin tonë si komb.
Faleminderit që besoni dhe përkrahni këtë kauzë!
MOMENTE TENSIONI - GJYNAH – U BONET HORË/ Përplasen Mirena – Avdiu - Hoxha, i ndërpret Valon Syla — YouTube T7 Channel.
EKSKLUZIVNO / NAJVEĆA TAJNA VUČIĆEVE (SR)BIA-e (I): Šta je predsjednik Srbije zatajio Scholzu i zašto se Dodik nije mogao suzdržati…
Vučićev plamičak nažalost tinja, a ta vatrica može da ubrzo postane vatrena stihija koja će progutati mnogo života. — Slobodna Bosna.
Nën Hijen e Vuçiçit: Manipulimi Mediatik në Kosovë
Mediat e Berat Buzhalës dyshohet se marrin financim serb, duke ngritur shqetësime serioze për rolin e tij në manipulimin e peizazhit politik të Kosovës për interesa të huaja. — SPOTLIGHT.
Unmasking Serbia’s President Aleksandar Vucic
In this episode, The Exposé uncovers Aleksandar Vucic’s dangerous alliances with Russia, China and Iran, revealing Serbia’s destabilising role in Europe. Subscribe for deeper insights. — THE GPC Exposé.