Xhulian Asanzh (Julian Assange): një peng në lojën e heshtjes së kundërshtarëve
Lirimi i Xhulian Asanzhit nuk duhet të përqafohet si një fitore e lirisë së shtypit. Përndjekja e tij brutale nga ShBA-të dërgon një mesazh frikësues: na sfidoni, por ne, do t'ju shkatërrojmë.
Ndonëse Xhulian Asanzh u lirua, është thelbësore të mos kemi ndjesinë e rrejshme të fitores për lirinë e shtypit. Përndjekja brutale dhe e gjatë e Asanzhit nuk ishte thjesht një procedurë ligjore, por një mesazh i frikshëm për gazetarët dhe sinjalizuesit (Whistleblowers) në mbarë botën: na sfidoni ne, dhe do të shkatërroheni. Taktikat e përdorura kundër Asanzhit nga qeveria amerikane, të mbështetura nga disa shtete të tjera, ishin të menduara për të trembur dhe shtypur ata që ‘guxojnë të zbardhin të vërtetën’.
Xhulian Asanzh, një programues dhe aktivist i lindur në Australi, fitoi famë ndërkombëtare përmes themelimit të WikiLeaks në vitin 2006. Kjo platformë u bë një strehë për sinjalizuesit, duke publikuar një thesar dokumentesh të fshehta që ekspozuan në një shkallë të pashembullt korrupsionin, krimet e luftës dhe spiunazhin. Ndër zbulimet më të rëndësishme ishin videoja "Vrasja Kolaterale" e vitit 2010, që tregonte një helikopter ushtarak amerikan duke qëlluar disa civilë në Bagdad, si dhe një numër të madh dokumentesh të klasifikuara nga ish-analistja e inteligjencës së Ushtrisë Amerikane, Çellzi Mening (Chelsea Manning), që tregonin për viktima civile të paregjistruara në Afganistan.
Për këto veprime, Asanzhi u bë cak i një fushate armiqësore nga qeveria amerikane, e cila e akuzoi atë për komplot piraterie në bazat e të dhënave ushtarake, duke renditur 18 akuza sipas ligjit kundër spiunazhit. Beteja ligjore që zgjati më shumë se një dekadë, u zhvillua qëkur Asanzhi kërkoi azil në Ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin. Pavarësisht që autoritetet suedeze hoqën dorë përfundimisht nga çështja kundër tij, Asanzhi u ndoq pa pushim, duke kulmuar me arrestimin e tij nga policia britanike në vitin 2019 dhe burgosjen e mëvonshme.
Marrëveshja e fundit sipas së cilës Asanzhi pranoi fajësinë për akuzat nën Aktin e Spiunazhit të SHBA-së, për të fituar lirinë e tij, u përshëndet dhe u konsiderua një triumf. Mirëpo, ky pajtim gjyqësor paraqet më tepër një kapitullim të pavullnetshëm të Shtëpisë së Bardhë, që duket se u përkul para trysnisë ndërkombëtar, sesa një njohje e të drejtës së Asanzhit për liri. Duhet theksuar dhe pranuar që vitet e tij të burgosjes dhe ngacmimi i pandërprerë ligjor ishin të synuara për të shërbyer si një parandalim për të tjerët.
Nën drejtimin e Asanzhit, WikiLeaks publikoi mbi 10 milionë dokumente, duke nxjerrë në dritë sekrete që qeveritë dhe korporatat do të parapëlqenin të mbetnin të fshehta. Këto zbulime nuk ishin thjesht akte sfide, por kontribute thelbësore për transparencën dhe përgjegjshmërinë globale. Faqja WikiLeaks luajti një rol kyç në zbulimet kryesore, duke përfshirë Piratërinë e Sony Pictures në vitin 2015 dhe publikimin e emailave të fushatës së Hillari Klintonit (Hillary Clinton) në vitin 2016, duke ndikuar në diskursin publik dhe rezultatet politike.
Megjithatë, trajtimi i Asanzhit zbulon një prirje të errët në peizazhin global të lirisë së shtypit. Qeveritë - sidomos ajo e Shteteve të Bashkuara - kanë demonstruar gatishmërinë e pamëshirshme për të shuar kundërshtimet dhe për të ndëshkuar ata që lehtësojnë dhe këmbëngulin në transparencë. Mesazhi është i qartë: të fuqishmit do të shkojnë në çfarëdo rrugëtimi që duhet, vetëm e vetëm për të ruajtur sekretet e tyre, ndëkraq ata që guxojnë t'i zbulojnë këto, janë në rrezik.
Edhe pse rruga e Xhulian Asanzhit duket si një hap i mbarë drejt lirisë së tij, është jetike të kuptojmë që ky paraqet moment reflektimi, por jo feste. Vuajtjet e tij theksojnë brishtësinë e lirisë së shtypit dhe rreziqet që përballen ata që sfidojnë ‘status quo-në’. Efekti frikësues mbi gazetarinë hulumtuese dhe sinjalizuesit e guximshëm është i pamohueshëm. Komuniteti ndërkombëtar i gazetarëve duhet të mbetet vigjilent në mbrojtjen e këtyre shtyllave të demokracisë. Saga e Asanzhit shërben si një kujtesë e qartë që lufta për të vërtetën dhe drejtësinë vazhdon dhe që pasojat janë tepër të larta.
Kosova: një shembull i heshtjes së kritikëve
Në teatrin e ndërlikuar të diplomacisë globale, ku tërhiqet e nuk këputet peri i marrëdhënieve ndërkombëtare nën mbikëqyrjen e pamëshirshme të syrit publik, roli i medias dhe vërtetësia e komunikimeve diplomatike janë thelbësore. Gjetjet e fundit rreth zëvendësndihmëssekretarit amerikan Gabriel Eskobar (Gabriel Escobar) nxorën në pah lëmshin e ngatërruar, duke ngritur shqetësime serioze për integritetin e gazetarisë, transparencën qeveritare dhe potencialin e zyrave diplomatike për të manipuluar përshtypjen e publikut ndaj një të vërtete sfiduese për Shtëpinë e Bardhë në Washington.
Konvergjenca e raporteve mediatike nga media të ndryshme, siç është OJQ-ja e financuar nga SHBA-të, S Bunker, Gazeta Express, Zëri i Amerikës, EuroNews Albania, përfshi Hibrid.Info, të cilët merren me luftimin e keqinformimit, të gjitha duke mbajtur një qëndrim të ngjashëm ndaj dyshimeve për lidhjet e dyshimta të Eskobarit me elemente të qeverisë serbe, jep një pamje shqetësuese të manipulimit mediatik. Këto raporte, të karakterizuara nga ngjashmëria e tyre e habitshme, shpërfaqin një orkestrim të mundshëm, por jo një përpjekje të pavarur të gazetarisë për të hedhur dritë mbi një të vërtetë.
Mediet apo OJQ-të që paraqitën një deklaratë gjoja të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, nëpërmjet së cilës u hodhën poshtë pretendimet kundër Eskobarit, nuk ofruan burimin e drejtpërdrejtë ose të cituar. Kjo paraqet një mungesë themelore të standardeve të gazetarisë dhe minim të besueshmërisë së raportimit.
Kjo njëtrajshmëri në përgjigje dhe mungesa e transparencës për burimin e cituar nuk paraqet thjesht një pakujdesi mediatike, por sugjeron një problem më të thellë dhe më sistemor brenda vetë Departamentit të Shtetit. Mungesa e një procesi të rreptë, transparent dhe të përgjegjshëm të shpërndarjes së informacionit brenda Departamentit lejoi që të krijohen dhe përhapen narrativat e tilla, me gjasë nga individë ose grupe me agjenda të posaçme. Ky nuk është thjesht një dështim i medieve individuale, por një mangësi e rëndësishme institucionale që Departamenti i Shtetit të SHBA-së duhet ta trajtojë.
Për më tepër, deklaratat e fundit të Eskobarit, të dhëna gjatë konferencës së tij të fundit për shtyp si i dërguari amerikan në Ballkanin Perëndimor, tregojnë lidhjen problematike të mbrojtjes personale dhe të qëndrimit zyrtar diplomatik. Përpjekja e Eskobarit për të nënvlerësuar hetimet e gazetarisë si “dezinformim të pabazë”. Sulmi i tij i drejtpërdrejtë ndaj gazetarisë së pavarur, duke më etiketuar si “gazetar i vetëshpallur”, jo vetëm që thekson veprimet e tij personale për të sulmuar gazetarinë e pavarur, por gjithashtu ngrenë pikëpyetje mbi përdorimin e platformave diplomatike, për të sfiduar lirinë e shtypit dhe integritetin e vlerave demokratike.
Mohimi që Eskobari u bëri akuzave, brenda kornizave të kontekstit luftarak në konferencën e tij lamtumirëse, edhe pse kjo konferencë ishte si rezultat i gjetjeve që i bëra publike, gjetje që ngritën dyshime të dokumentuara për integritetin e tij diplomatik, ishte i mbushur me specifika të menduara për të hedhur posht pretendimet, por pa dokumentim. Strategjia e tij e mbrojtjes, nuk bëri asgjë për të adresuar çështjen themelore në diskutim. Ajo ishte menduar për të sulmuar gazetarinë e pavarur.
Në Kosovë, ku institucionet demokratike dhe liria e shtypit vazhdojnë të konsolidohen, potenciali për të shkaktuar dëme nga manipulimet e tilla është i konsiderueshëm. Roli i medias në formësimin e peizazheve politike është thelbësor. Mirëpo, kur komprometohet, veçanërisht nga ndërhyrjet e jashtme qeveritare, themeli i vetë demokracisë është në rrezik.
Kontestimi i Eskobar është një kujtesë e qartë e sfidave të vazhdueshme për të ruajtur integritetin e informacionit që rrjedh përmes kanaleve qeveritare dhe mediatike. Kjo kërkon një angazhim të vazhdueshëm për parimet themelore të transparencës, përgjegjësisë, si dhe një përkushtim të qëndrueshëm për të vërtetën – parime që duhet të udhëheqin, si gazetarët ashtu edhe diplomatët. Shtypi duhet të bëjë detyrën e tij për të sfiduar, verifikuar dhe raportuar saktë, i lirë nga manipulimi ose shtrëngimi nga entitetet qeveritare ose grupet e tjera të fuqishme të interesit. Njëkohësisht, është thelbësore që organet qeveritare, veçanërisht ato që ndikohen shumë nga Departamenti i Shtetit të SHBA-së, të zbatojnë mekanizma të fortë për të siguruar që komunikimet e tyre të jenë, jo vetëm të sakta, por edhe të paprekura nga keqpërdorimi i individëve si Eskobar ose agjendat e tyre politike. Vetëm përmes angazhimeve të tilla, publiku mund të besojë në informacionin nga i cili kuptojnë situatën në botë dhe besimin e tyre në ata që qeverisin.
Në konvergjencën e mjegullt të diplomacisë dhe të raportimit mediatik, rasti i Gabriel Eskobar ilustron qartë se si ndryshku i integritetit të gazetarisë dhe ai qeveritar mund të formojë perceptimin publik dhe politikën ndërkombëtare. Riprodhimi i narrativave mbrojtëse të Eskobarit nga mediat si S Bunker, Gazeta Express, Zëri i Amerikës dhe EuroNews Albania, jo vetëm që pasqyrojnë standardet e ulëta të gazetarisë. por ekspozon një gatishmëri shqetësuese për të shërbyer si megafonë për atë që mund të përshkruhet vetëm si një qëndrim autokratik nga një diplomat i pacipë dhe skandaloz.
Këto media, duke përsëritur pretendimet gjoja të Departamentit të Shtetit, por që në realitet ishin thjesht shfryrje të egra personale të Eskobarit, jo vetëm njollosin besueshmërinë e tyre, por edhe tradhtojnë parimet dhe detyrat themelore të shtypit. Duke paraqitur pohimet e pavërtetuara dhe të shërbyera nga Eskobari, si politikë qeveritare, këto organizata sulmuan gazetarinë e pavarur dhe propaganduan një narrativë që anashkalon plotësisht përgjegjësinë. Kjo sjellje jo vetëm që gërryen besimin e publikut, por gjithashtu minon vetë kornizën e diskursit demokratik, duke lejuar figura si Eskobari, të shtrembërojnë potencialisht marrëdhëniet ndërkombëtare, pa mbikëqyrjen dhe përgjegjësinë e rreptë, që janë thelbësore për proceset e vërteta demokratike.
Besojmë se qasja në informacion të besueshëm dhe faktik është në të mirën publike, prandaj e mbajmë faqen tonë të hapur për të gjithë, pa pagesë. Nëse dëshironi të ndihmoni RILINDJE-n të prodhojë gazetari të shkëlqyer, ju lutemi na mbështesni sot.
Ju merr vetëm një minutë.
Faleminderit.