Njerëzimi Ju Pa
Një thirrje nga ndërgjegjja njerëzore: për Gazën, për mjekët, për nënat, për fëmijët që nuk zgjohen më, për të mos i harruar kurrë.
Njëherë e një kohë, kur bota u verbua nga flaka e urrejtjes, shkruesit e historisë i lanë lapsat dhe morën gurët, për të ngritur varre. Emrat nuk ishin më me rëndësi. As gjuhët. As feja. Kishte vetëm gjak. Ishte Evropa e Gjermanisë Naziste. Ishte Sarajeva e djegur nga urrejtja e Milosheviçit. Ishin trenat e përgjakur dhe heshtja botërore që troket ende në ndërgjegjen e secilit popull që e ka njohur dhimbjen.
Dhe tani është Gaza.
Tani jeni ju, Izrael.
Nuk e them me urrejtje. Zoti më ruajt. Se ne shqiptarët, të ndershëm e të thyer, kemi mbajtur brenda shpirtit një dhembje që nuk kthehet kurrë në urrejtje, por në kujtesë. Por shikoj çfarë keni bërë, dhe më përvëlon shpirti si në ato kohë kur fëmijët tanë flinin nëpër pyje për t’u fshehur nga helikopterët serbë.
Dëgjoj që thoni: “Na goditi Irani!” Dhe, po, më vjen keq për çdo jetë të pafajshme që shuhet. Por a e dini ç’do të thotë kur spitali ku shkon për t’u shëruar kthehet në varr? Ju e dini. Keni bombarduar mbi 200 spitale në Gaza. Keni vrarë mjekë, infermierë, fëmijë që flinin me tub oksigjeni në hundë.
Dhe tani qani?
Tani që dikush iu përgjigj agresionit tuaj me forcë, e quani “tragedi”. Por tragjedia nuk nisi këtë javë. Tragjedia nisi atë ditë kur vendosët se jetët arabe nuk kanë vlerë. Kur vendosët se nënat e Gazës nuk qajnë si nënat tuaja. Kur vendosët se fëmijët atje janë “mburoja njerëzore” dhe jo njerëz.
Jo, unë nuk po e mbroj regjimin e Ajatollahëve. Zoti më ruajt. Ata janë tiranë. Por ndoshta dhe më dhemb ta them, ndonjëherë, koha edhe e sjell të keqen për t’i treguar një të keqe tjetër edhe më të madhe se çfarë ka bërë. Ndoshta vetëm një regjim aq brutal sa ai iranian mund t’ju tregojë pasqyrën ku s’e doni ta shihni veten: si shtypës, si urrejtës, si ata që dje vranë gjyshërit tuaj në Evropë.
Po ju, ju që dilni nga hija e Holokaustit, si mund të bëheni tani kujtimi i një tjetër holokausti?
Ju më kujtoni Milosheviçin. Ai që fliste për "mbrojtjen e kombit", por që dhunoi Kosovën deri në kockë. Ai që thoshte "ata na sulmuan", por që bombardoi maternitetet dhe shtëpitë e pleqve. Ju po e thoni të njëjtën gjë. Dhe bota nuk është e verbër. Sytë e saj janë të kuq nga lotët, por jo të mbyllur.
Po, ne qajmë. Ne shqiptarët dimë të qajmë. Qajmë për fëmijën që nuk u zgjua më. Për infermierin që u varros në ambulancë. Për nënën që gërmoi me duar nën betonin e ftohtë. Për gazetarët pas vrasjes së të cilëve nuk u dëgjua më zëri i civilëve në Gaza.
Keep reading with a 7-day free trial
Subscribe to SPOTLIGHT to keep reading this post and get 7 days of free access to the full post archives.