Kur Protokolli Bie në Gjumë: Shteti bëhet Teatër
Të mashtrohet një kryeministër nga komedianë rusë është qesharake; të mos ketë asnjë pasoje është thjesht një tragjedi e vetë-pranuar kombëtare.
Më 26 mars 2025, publikova një analizë kritike për një incident diplomatik serioz që përfshiu Kryeministrin në detyrë të Kosovës, i cili ra pre e një telefonate të rreme të orkestruar nga dy komedianë rusë të njohur. Ata u shtirën si Presidenti i Letonisë dhe gjatë bisedës, e cila zgjati rreth dhjetë minuta, u dhanë deklarata që dolën në publik dhe shkaktuan reagime të gjera.
Ky incident nuk është vetëm një ngjarje për dy shakatarë të famshëm, por një shembull shqetësues i dështimit të thellë institucional, që ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë, protokollet, dhe profesionalizmin e zyrës më të lartë shtetërore në vend.
Thelbi i skandalit: Jo shaka, por dështim shtetëror
Kjo ngjarje nuk është për t’u parë si një incident kalimtar apo si një moment “ç’njerëzor”. Bëhet fjalë për një kolaps të mekanizmave mbrojtës që duhet të rrethojnë liderët shtetërorë, sidomos në vende me status ndërkombëtar të brishtë. Të pranosh një telefonatë pa verifikim, gjatë së cilës bëhen deklarata të ndjeshme politike, është më shumë se turp; është një akt i papërgjegjshmërisë shtetërore.
Në përmbajtjen e bisedës së publikuar, vërehet mungesa e filtrit diplomatik dhe papërgatitja për situata të papritura. Janë bërë pohime të forta politike, komente të papërshtatshme për figura ndërkombëtare dhe një mungesë tronditëse e njohurive për zhvillime të rëndësishme rajonale. Të gjitha këto do të ishin të pamundura nëse ekzistonte një sistem funksional filtrimi dhe verifikimi.
Reagimi zyrtar: Kontroll i dëmit, jo përgjegjësi
Deklarata e vetme zyrtare erdhi1 më shumë se një muaj pas incidentit, dhe vetëm pasi ngjarja u bë publike. Arsyetimi? Një periudhë e ngarkuar pas zgjedhjeve. Ky lloj shpjegimi nuk i shërben transparencës dhe lë të kuptohet se përparësi ka shmangia e përgjegjësisë, jo ndërtimi i besimit të qytetarëve.
Të kërkosh ndjesë publike për një ngjarje të tillë nuk është mjaft. Qasja që minimizon problemin duke e vendosur në kontekstin e luftës hibride të Rusisë, edhe pse reale si kërcënim, nuk mund të shërbejë si justifikim për mungesën e kontrollit dhe seriozitetit institucional.

Reagimi i opinionit publik: Ndërmjet ndjeshmërisë, mohimit dhe relativizmit
Brenda pak orësh nga publikimi i lajmit dhe analizës, pasoi një stuhi komentesh nga publiku ndaj postimit tim në fejsbuk2.
Reagimet ndahen në tri kategori kryesore:
Normalizimi dhe ndjeshmëria emocionale: Disa reagime synuan të relativizojnë incidentin duke thënë se edhe liderë të tjerë ndërkombëtarë kanë rënë pre e mashtrimeve të ngjashme. Edhe pse faktikisht e saktë, kjo mënyrë arsyetimi është logjikisht e pavlefshme. Dështimi i të tjerëve nuk e arsyeton dështimin tonë. Përkundrazi, duhej të na kishte shërbyer si mësim për të ngritur standardet.
Minimizimi dhe mohimi: Një pjesë tjetër e opinionit u përpoq ta portretizojë incidentin si të parëndësishëm, apo si një “lapsus njerëzor”. Por qeverisja nuk lejon luksin e lapsuseve të tillë. Kur në lojë është integriteti i shtetit, nuk ka vend për gabime të tilla bazike.
Kërkesa për llogaridhënie: Reagime më të pjekura dhe me bazë kritike shtrojnë pyetjet e duhura: Kush lejoi këtë telefonatë?3 Ku ishte ekipi i sigurisë? Ku ishin këshilltarët diplomatikë dhe protokolli? Këto zëra kërkojnë më shumë se thjesht një ndjesë publike; ata kërkojnë përgjegjësi konkrete.
Llogaridhënia nuk është luks, por domosdoshmëri
Në demokraci, mungesa e llogaridhënies është rruga më e shkurtër drejt degradimit institucional. Nëse askush nuk jep dorëheqje apo nuk shkarkohet pas një skandali që prek vetë zyrën e Kryeministrit, atëherë mesazhi që i dërgohet qytetarëve dhe botës është i qartë: Kosova nuk ka mekanizma funksionalë të vetërregullimit.
Kjo nuk është thjesht çështje individësh apo emrash. Është një sistem që duket se ka dështuar ta mbrojë figurën më të lartë shtetërore nga një incident i turpshëm. Në mungesë të masave të qarta, precedentët do të përsëriten. Nëse nuk mbahet askush përgjegjës, atëherë kushdo mund të telefonojë, të mashtrojë dhe të përdorë zyrën e shtetit si arenë shakaje.
Roli i mediave dhe qytetarëve: Mos e ktheni kritikën në faj
Në disa reagime të lexuesve të mi, vërehej një tendencë për të fajësuar kritikën vetë, sikur të ishte ajo problemi dhe jo skandali. Kjo është një prirje e rrezikshme që shkon kundër vetë parimeve të lirisë së shtypit dhe mbikëqyrjes demokratike. Kritika nuk është sulm. Është instrument i ndërtimit të një shteti më të fortë.
Media ka për detyrë të mos i shërbejë komoditetit të pushtetit, por të vërtetës. Qytetarët nuk duhet të bien pre e emocioneve apo e lojalitetit partiak, por të kërkojnë standarde të njëjta për të gjithë.
Arsyetimet si kulturë kombëtare: Një rrugë drejt vetëshkatërrimit
Nëse pas çdo skandali dalin vetëm arsyetime, atëherë çfarë mesazhi po përcillet? Se dështimi është i pranueshëm për sa kohë që nuk ka pasoja? Se institucionet janë aty vetëm për të reaguar pasi ndodh diçka, e jo për ta parandaluar?
Ky incident duhet të na shërbejë si alarm. Jo për të demonizuar, por për të reflektuar dhe për të ndrequr. Jo për të relativizuar me shembuj të huaj, por për të ngritur pritshmëritë ndaj vetes.
Standardi që tolerojmë, është standardi që pranojmë
Kosova është në një fazë të ndjeshme të afirmimit ndërkombëtar. Nuk mund të sillet si një shtet ku kushdo mund të hyjë, të flasë dhe të luajë me protokollet shtetërore. Nëse nuk ka përgjegjësi reale pas një ngjarjeje që ka bërë xhiron e botës, atëherë me çfarë morali kërkojmë të na marrin seriozisht?
Ky nuk është një moment për të kaluar, por për t’u mbajtur mend si pikë kthese. Sepse dinjiteti kombëtar nuk matet me heshtje, por me guxim për tu përballuar me të vërtetën. Dhe në këtë rast, e vërteta është se institucionet nuk e mbrojtën shtetin. Tani është koha të tregojmë nëse do të mbrojmë të ardhmen.
E vërteta nuk do të heshtë.
📢 Mbështesni Gazetarinë e Pavarur
☑ Dhuro | ☑ Abonohu | ☑ Shpërndaje Këtë Raport
Postimi im në fejsbuk lidhur me analizën time kritike — Facebook VX.